Banorët e Rrjoll, të cilët prej muajsh protestojnë për çështjen e pronave në zonën bregdetare të Velipojës, morën pjesë këtë të enjte në seancën plenare të Kuvendit.
Tre prej banorëve u panë të ulur në sallën e Parlamentit, të shoqëruar nga deputeti i Partia Mundësia, Erald Kapri.
Në të njëjtën kohë, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, zhvilloi një interpelancë me zëvendëskryeministren Albana Koçiu lidhur me pretendimet e banorëve për tjetërsimin e pronave në zonë.
Sipas banorëve, projekti turistik që po zhvillohet në Rrjoll është ngritur mbi tokat e tyre, të cilat pretendojnë se janë tjetërsuar përmes dokumenteve të falsifikuara dhe më pas i janë kaluar investitorit strategjik.
Projekti turistik në fjalë ka nisur në muajin shkurt të këtij viti dhe parashikon ndërtimin e 33 strukturave akomoduese dhe shërbimi, me ndërtesa nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë.
Zhvillimi i projektit po realizohet nga shoqëria ABA Blue Borgo.
Banorët e zonës kanë zhvilluar prej muajsh protesta dhe denoncime publike, duke kërkuar verifikimin e dokumentacionit të pronësisë dhe ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për çështjen e tokave në bregdetin e Velipojës.
