Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se lidershipi iranian është “neutralizuar” dhe se po kërkohet një udhëheqës i ri për Iranin që do të mbajë marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Në një intervistë telefonike për CNN, Trump tha se situata në Iran ka ndryshuar ndjeshëm brenda një kohe shumë të shkurtër.
“Irani nuk është i njëjti vend që ishte një javë më parë. Një javë më parë ata ishin të fuqishëm dhe tani janë neutralizuar vërtet”, u shpreh ai.
Trump deklaroi gjithashtu se zgjedhja e një udhëheqësi të ri për Iranin do të jetë e lehtë dhe se ai dëshiron të jetë i përfshirë në këtë proces. Ai e krahasoi situatën me zhvillimet në Venezuelë, ku sipas tij SHBA-të ndërhynë për ndryshimin e lidershipit.
Presidenti amerikan u shpreh se është i hapur edhe për mundësinë që Irani të drejtohet nga një lider fetar, për sa kohë që ai është i drejtë dhe mban marrëdhënie të mira me SHBA-në dhe aleatët e saj.
“Nuk më shqetësojnë udhëheqësit fetarë. Kam të bëj me shumë udhëheqës fetarë dhe ata janë fantastikë”, tha Trump.
I pyetur nëse Irani duhet të jetë një shtet demokratik, Trump u përgjigj se ajo që ka rëndësi është që vendi të ketë një lider të drejtë që trajton mirë SHBA-në, Izraelin dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme.
Ai vlerësoi gjithashtu operacionin ushtarak kundër Iranit, duke e cilësuar atë një sukses të madh dhe duke pretenduar se është goditur rëndë marina iraniane, ndërsa situata në rajon mbetet ende shumë e tensionuar.
