Agjencia evropiane e policisë, Europol, ka paralajmëruar për një rritje të rrezikut të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Evropë, si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit.
Sipas përfaqësuesve të Europolit, lufta në Lindjen e Mesme mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë në Bashkimin Evropian, duke përfshirë edhe rritjen e aktivitetit të krimit të organizuar.
Kreu i komunikimit të Europolit, Jan op gen Oorth, deklaroi se situata aktuale krijon disa rreziqe kryesore për vendet evropiane. Sipas tij, këto përfshijnë një kërcënim të shtuar të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, rritje të sulmeve kibernetike ndaj infrastrukturës kritike dhe shtim të fushatave të dezinformimit.
Po ashtu, ai paralajmëroi për rritje të mashtrimeve online që lidhen me konfliktin dhe përdorimin e tij për përfitime kriminale.
Raportohet se Europol po monitoron gjithashtu rrjete të lidhura me Iranin që veprojnë në Evropë, përfshirë grupet e lidhura me të ashtuquajturin “Bosht i Rezistencës” dhe rrjete kriminale që dyshohet se operojnë nën ndikimin e institucioneve të sigurisë iraniane.
Paralajmërimi i agjencisë vjen disa ditë pasi një klerik i lartë iranian bëri thirrje për luftë të shenjtë kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, pas zhvillimeve të fundit në konflikt.
Ndërkohë, disa qeveri evropiane kanë shtuar masat e sigurisë, duke rritur vigjilencën ndaj kërcënimeve të mundshme terroriste dhe kibernetike.
