Tensione janë regjistruar në seancën plenare në Kuvendin e Shqipërisë gjatë fjalës së kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Ndërsa Balla po fliste nga foltorja, një frazë e tij ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të deputetëve të opozitës. Ai u shpreh: “Realisht nuk kishim një numër tuajin që të ju merrnin në telefon dhe të ju thonim çfarë mendoni ju. 0900 se këtë numër kam, për ty Albana padyshim”.
Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili iu drejtua Ballës me tone të ashpra nga vendi i tij në sallë.
Pas shkëmbimit verbal, disa deputetë demokratë iu afruan foltores ku ndodhej Balla, duke rritur tensionet në sallën e Kuvendit.
Situata u përshkallëzua për disa momente, duke detyruar ndërhyrjen e Gardës së Republikës për të shmangur përplasjen fizike mes deputetëve.
Për shkak të tensioneve të krijuara, seanca plenare u ndërpre përkohësisht deri në qetësimin e situatës.
