Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me tensione të forta pas një përplasjeje verbale mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.
Gjithçka nisi gjatë fjalës së kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili po fliste në foltore për çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Teksa ironizoi opozitën lidhur me qëndrimin për mundësinë e anëtarësimit në BE edhe pa të drejtë vetoje, Balla bëri një koment ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi që shkaktoi reagim të menjëhershëm në sallë.
“Thamë t’ju pyesnim juve njëherë por nuk kishim kohë. Realisht nuk kishim një numër telefoni tuajin që t’ju merrnim dhe t’ju thonim ‘si mendoni ju për këtë’. 0900, se për ty Albana kam këtë numër”, u shpreh Balla.
Deklarata e tij tensionoi deputetët e opozitës, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi me tone të ashpra nga vendi i tij, duke iu drejtuar Ballës me fyerje.
Pas shkëmbimit verbal, situata në sallën e Kuvendit u tensionua edhe më shumë, duke detyruar ndërhyrjen e Gardës së Republikës për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Seanca plenare u ndërpre përkohësisht deri në qetësimin e situatës mes deputetëve.
