Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te akuzat e SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ndryshimet e fundit në qeveri.
Në një intervistë televizive, Lleshaj u shpreh se situata aktuale politike është kthyer në një ngërç që po i kushton vendit dhe qytetarëve, ndërsa sipas tij zgjidhja më e mirë për të kapërcyer këtë situatë janë dorëheqjet.
Ai theksoi se dorëheqja është një mekanizëm i rëndësishëm politik që mund të ndihmojë në hapjen e një kapitulli të ri dhe në uljen e tensioneve.
“Dorëheqja është mekanizëm i artë për të dalë nga ngërçi. E kam provuar vetë këtë dhe e di çfarë do të thotë. Është një akt përgjegjësie për t’i hapur rrugë një situate të re”, u shpreh Lleshaj.
Ish-ministri kujtoi edhe dorëheqjen e tij nga detyra në të kaluarën, duke thënë se në atë kohë vendimi i tij u konsiderua absurd nga disa, por sipas tij ishte një akt përgjegjësie politike.
Sipas Lleshajt, situatat e tilla nuk duhet të zvarriten pasi krijojnë kosto të panevojshme për vendin. Ai shtoi se dorëheqja duhet të shihet si një përgjigje e parë ndaj krizave politike dhe jo si një hap i fundit.
Duke komentuar nëse Belinda Balluku po mbrohet politikisht nga kryeministri Edi Rama, Lleshaj tha se mbrojtja e anëtarëve është një çështje preferencash brenda partive politike.
“Dorëheqja është një mesazh për të treguar se nuk je i lidhur me atë ‘djall’ karrigeje ku je ulur”, theksoi ai.
