Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka reaguar në Kuvend pas shkarkimit të saj nga posti i ministres së Jashtme, duke thënë se është habitur nga fakti që largimi i saj ishte paralajmëruar më parë nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Gjatë fjalës së saj në seancën plenare, Spiropali theksoi se çdo detyrë në Kuvend është një përgjegjësi dhe nder, ndërsa shtoi se e vetmja gjë që e ka surprizuar në këtë situatë është deklarata e Berishës.
“Unë nuk flas vetëm anglisht, por edhe gjuhë tjetër të huaj. Por më mirë se shqipen nuk flas asnjë gjuhë. Edhe flas shqip, flas troç dhe flas siç duhet me Shqipërinë dhe për Shqipërinë. Çdo detyrë këtu në Kuvend është nder i madh. E vetmja gjë për të cilën më vjen keq është që largimin e paralajmëroi Sali Berisha dhe jo ndonjë tjetër. Vetëm për këtë jam e habitur që i doli fjala”, u shpreh Spiropali.
Pas deklaratës së saj, Berisha reagoi sërish nga salla e Kuvendit duke e cilësuar Spiropalin si “viktimën më të parëndësishme” të Belinda Ballukut dhe duke thënë se largimi i saj nuk lidhet me deklaratat e tij, por me zhvillimet brenda mazhorancës.
Debati mes dy politikanëve u zhvillua gjatë seancës plenare të Kuvendit, e cila është shoqëruar me përplasje dhe tone të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës.
