Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar nga foltorja e Kuvendit deputeten socialiste Elisa Spiropali, duke e cilësuar atë si “viktimën më të parëndësishme” të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Berisha u shpreh se largimi i Spiropalit nga detyra lidhet me përplasjet dhe rivalitetet brenda mazhorancës.
Sipas tij, Spiropali kishte shpresuar të merrte postin e zëvendëskryeministres, por përfundoi duke u larguar nga qeveria.
“Elisa, je viktima më e parëndësishme e Belindës dhe më e merituara. Kur sytë e shqiptarëve drejtoheshin nga ajo, ti vije këtu e veshur me të bardha. Pse mendon se ajo hante bar? Nuk e ke nga Berisha, e ke nga vetja jote, sepse gëzoheshe që do bëheshe zv/kryeministre”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se rivalitetet dhe konfliktet brenda mazhorancës kanë ndikuar në zhvillimet e fundit politike, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si ka menaxhuar kabinetin qeveritar.
Deklaratat e Berishës u bënë gjatë debatit parlamentar në seancën plenare, e cila është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.
