Balla i përgjigjet Bardhit në Kuvend: Raporti për imunitetin e Ballukut do të diskutohet në seancën e 12 marsit

Data

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i është përgjigjur në Kuvend deklaratave të kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili akuzoi mazhorancën se po zvarrit procedurat për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Balla theksoi se mazhoranca është brenda afateve të përcaktuara nga Rregullorja e Kuvendit dhe se raporti për këtë çështje pritet të diskutohet në seancën e 12 marsit.

Ai akuzoi Bardhin për deklarata të pavërteta dhe tha se procedura po ndiqet sipas rregullave parlamentare.

“Gënjeshtra në muaj Ramazani është dyfish. Ti s’ke lidhje as me besimin e vlerave morale dhe familjare. Sa i përket gënjeshtrave që u hodhën në këtë sallë, qëndrimi ynë ka qenë i qartë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve”, deklaroi Balla.

Sipas tij, në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet kanë ekzistuar dy qëndrime të ndryshme dhe për këtë arsye duhet të hartohen dy raporte brenda afatit dyjavor të përcaktuar nga rregullorja.

Balla sqaroi se raporti i mazhorancës do të depozitohet në Kuvend dhe më pas do të respektohen procedurat për diskutimin në seancë plenare.

“Sapo të depozitohet raporti nga ana jonë në Kuvend, do të respektohet afati dyjavor, pasi ai është përpara datës së shqyrtimit më 17 mars. Seanca më e afërt për diskutim është ajo e 12 marsit”, u shpreh ai.

Ndërkohë, opozita ka kërkuar që Kuvendi të miratojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke argumentuar se duhet t’i hapet rruga hetimeve nga drejtësia.

Kuvendi po zhvillon seancën plenare të radhës me disa pika në rendin e ditës, ndër të cilat përfshihet edhe votimi për ministrat e rinj të kabinetit qeveritar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related