“Jam shqiptare, nuk mund të hesht”, Ikballe Huduti reagon pasi u shpall person i padëshiruar për 15 vite

Data

Ikballe Huduti ka reaguar publikisht pasi autoritetet shqiptare e shpallën “person të padëshiruar” në Republikën e Shqipërisë për një periudhë 15-vjeçare, me argumentin se veprimtaria e saj përbën rrezik për sigurinë kombëtare.

Përmes një mesazhi drejtuar kryeministrit Edi Rama, Huduti deklaroi se pjesëmarrja e saj në protesta nuk ka qenë e motivuar nga interesa personale apo politike, por nga bindjet e saj qytetare dhe patriotike.

“Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Unë jam bijë e një familjeje shqiptare dhe kam kaluar shumë sprova, padrejtësi dhe vështirësi në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim,” shprehet ajo.

Huduti thekson se e konsideron detyrim moral ngritjen e zërit për çështjet që, sipas saj, prekin interesin publik dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Unë jam shqiptare dhe ndihem përgjegjëse për fatin e kombit tim. Nuk mund të fle e qetë kur shoh probleme që prekin shoqërinë tonë. Besoj se njeriu vlen aq sa shqetësohet për hallet e të tjerëve dhe aq sa përpiqet të kontribuojë për të mirën e përbashkët,” deklaron Huduti.

Në reagimin e saj, ajo i bën thirrje kryeministrit Rama, institucioneve shqiptare dhe Bashkimit Evropian që të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe të zgjedhin dialogun si rrugë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

“Historia ka treguar se asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i një populli të ndërgjegjësuar. Besoj se dialogu, drejtësia dhe respekti ndaj qytetarëve janë rruga më e mirë për të shmangur përçarjet dhe konfliktet,” thuhet në mesazhin e saj.

Në përfundim të reagimit, Huduti thekson se nuk kërkon përplasje, por një Shqipëri me më shumë drejtësi, paqe dhe respekt për qytetarët.

“As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë,” përfundon reagimi i saj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related