Deputeti i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, është përjashtuar për 20 ditë nga punimet e Kuvendit. Vendimi u mor në mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, pas një kërkese të paraqitur nga mazhoranca.
Sipas përfaqësuesve të Partisë Socialiste, masa ndaj Shehajt u mor pasi në seancën e kaluar ai bllokoi foltoren e Kuvendit dhe refuzoi të largohej nga salla edhe pas komunikimit të vendimit për përjashtim, duke penguar vijimin normal të punimeve të seancës plenare.
Tensionet në Kuvend erdhën pas deklaratave të deputetit për protestat e banorëve të Rrjollit, të cilët prej rreth një muaji kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në zonë. Shehaj ngriti zërin në seancë për këtë çështje, duke kërkuar mbrojtjen e pronave të banorëve.
Deputeti akuzoi qeverinë se po favorizon ndërtuesin dhe botuesin Bashkim Ulaj dhe se qytetarëve të zonës po u merret prona.
Përplasjet në sallën e Kuvendit u shoqëruan me debate të forta mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, çka çoi më pas në vendimin e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin e tij nga seancat për 20 ditë.
