Tensionet në Lindjen e Mesme kanë ngritur alarmin edhe në Greqi, pas raportimeve se dronë iranianë kishin në shënjestër baza ushtarake në Qipro dhe në territorin grek.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Greke (KKE), Dimitris Koutsoubas, deklaroi në televizionin Action 24 se informacionet që ai disponon tregojnë se katër dronë që kaluan mbi hapësirën ajrore të Qipros kishin objektiva të ndryshëm ushtarakë në rajon.
Sipas tij, dy prej dronëve ishin të drejtuar drejt bazës britanike në Akrotiri në Qipro, ndërsa dy të tjerë kishin si destinacion bazën amerikane në Sudë, në ishullin e Kretës.
“U thashë edhe parlamentarëve se nga katër dronët që u drejtuan nga Irani drejt Qipros dhe Greqisë, dy ishin të drejtuar në bazën britanike në Akrotiri dhe dy të tjerët në Sudë. Mendoj se ky është rasti, sepse pati një alarm të menjëhershëm në bazën e Sudës”, deklaroi Koutsoubas.
Ai bëri të ditur gjithashtu se qeveria greke ka vendosur të transferojë sisteme kundërajrore në ishullin Karpathos për të forcuar mbrojtjen e hapësirës ajrore përballë kërcënimeve të mundshme.
Sipas tij, në rast përshkallëzimi të konfliktit në Lindjen e Mesme, bazat amerikane në Greqi mund të shndërrohen në objektiv të sulmeve hakmarrëse.
Koutsoubas theksoi se qeveria duhet të shmangë përfshirjen e vendit në një konflikt ndërkombëtar dhe të mbrojë popullin grek nga pasojat e mundshme të një përshkallëzimi ushtarak në rajon.
Paralajmërimet vijnë në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm pas sulmeve të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ndaj objektivave iraniane dhe kundërpërgjigjes së Teheranit me dronë dhe raketa drejt bazave ushtarake ndërkombëtare.
