Konflikti në Lindjen e Mesme vijon të përshkallëzohet, ndërsa Izraeli ka nisur një tjetër valë sulmesh ajrore mbi kryeqytetin iranian, Teheran.
Lajmi është konfirmuar nga ushtria izraelite, e cila njoftoi se sulmet janë në shënjestër të infrastrukturës ushtarake që i përket regjimit iranian.
Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), operacioni është pjesë e një serie goditjesh që kanë nisur prej 28 shkurtit.
Kjo është vala e 11-të e sulmeve të Izraelit kundër objektivave në Teheran që nga fillimi i operacionit ushtarak.
Autoritetet izraelite kanë deklaruar se sulmet do të vijojnë dhe se operacionet kanë si synim dobësimin e kapaciteteve ushtarake të Iranit.
“Ne e kemi goditur regjimin me shumë forcë dhe nuk kemi ndërmend të ndalemi për asnjë moment. Po godasim objektivat e tij”, thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite.
Zhvillimet vijnë në një moment tensioni të lartë në rajon, ndërsa përplasjet mes Iranit dhe Izraelit, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, po rrisin frikën për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.
