Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ralf Gjoni, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme pas përshkallëzimit të konfliktit mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, duke theksuar se edhe Shqipëria duhet të marrë parasysh rreziqet e mundshme.
I ftuar në një studio televizive, Gjoni u shpreh se vendi ynë duhet të sillet sikur është potencialisht në rrezik, pasi situata e sigurisë në rajon është e tensionuar dhe vendet e NATO-s janë në gjendje alerti.
Sipas tij, Shqipëria mund të konsiderohet një objektiv nga Irani për shkak të qëndrimeve politike dhe pranisë së opozitës iraniane në vend.
“Ne duhet të mendojmë sikur Shqipëria rrezikon shumë. Në një skenar të mundshëm mund të imagjinohet edhe një seri raketash drejt Shqipërisë. Ne jemi një target për Iranin dhe jemi përmendur edhe nga Khamenei”, u shpreh Gjoni.
Ai theksoi se Shqipëria konsiderohet një vend armik nga Teherani, duke përmendur edhe praninë në vendin tonë të anëtarëve të opozitës iraniane të organizatës MEK.
Megjithatë, eksperti theksoi se nuk ka një rrezik të menjëhershëm për një sulm, pasi sipas tij çdo ushtarak i NATO-s është aktualisht në gjendje alerti.
Gjoni shtoi gjithashtu se do të ishte e nevojshme që në Shqipëri të mblidhej Këshilli i Sigurisë Kombëtare për të analizuar rreziqet dhe situatën e krijuar nga konflikti në rajon.
Duke komentuar zhvillimet në Iran, ai tha se aktualisht po goditet struktura e regjimit iranian dhe se sipas disa parashikimeve konflikti mund të zgjasë disa javë. Sipas tij, një pjesë e madhe e popullsisë iraniane nuk është e kënaqur me regjimin aktual dhe kërkon ndryshime politike në vend.
