Pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj të ndryshimeve në qeveri, Belinda Balluku zyrtarisht nuk është më zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Megjithatë, në Kuvend mbetet ende për t’u votuar kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj.
Në një analizë televizive, shkrimtari Albatros Rexhaj dhe ish-deputeti Enkelejd Alibeaj komentuan zhvillimet e fundit rreth çështjes Balluku dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konfirmoi se pezullimi i saj nga GJKKO ishte në përputhje me ligjin.
Sipas Rexhajt, vendimi i GJKKO për pezullimin e një zyrtari të lartë ka hapur një debat të madh institucional dhe politik. Ai e cilësoi këtë veprim si “hapjen e kutisë së Pandorës”, duke argumentuar se pezullimi i funksionarëve të lartë që burojnë nga Kushtetuta mund të krijojë precedentë të rrezikshëm.
“Në mendimin tim është gjëja e duhur që të diskutohet kjo çështje. Pezullimi i zyrtarëve të lartë të shtetit që burojnë direkt nga Kushtetuta nuk mund të bëhet me një akt procedural, sepse nesër mund të pezullohet edhe kryeministri”, u shpreh Rexhaj.
Ndërkohë, Enkelejd Alibeaj theksoi se sipas Kodit të Procedurës Penale, ministrat mund të pezullohen nga detyra, ndryshe nga disa poste të zgjedhura drejtpërdrejt nga qytetarët si deputetët apo kryetarët e bashkive.
Ai shpjegoi se Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se pezullimi i ministrave nuk përfshihet në imunitetin kushtetues dhe se vendimi për të rrëzuar kërkesën e qeverisë për shfuqizimin e pezullimit të Ballukut u mor për shkak të mungesës së shumicës së votave.
Sipas Alibeajt, kryeministri Edi Rama ndodhet aktualisht përballë një presioni të dyfishtë: nga njëra anë nga Belinda Balluku dhe nga ana tjetër nga partnerët ndërkombëtarë.
Ai theksoi se nëse Kuvendi nuk voton për heqjen e imunitetit të Ballukut, kjo mund të ketë pasoja serioze për reformën në drejtësi dhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Rama është në një kryqëzim. Nga njëra anë është presioni që vjen nga Balluku dhe nga ana tjetër presioni i ndërkombëtarëve. Nëse nuk votohet heqja e imunitetit, rrezikohet reforma në drejtësi dhe rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”, u shpreh Alibeaj.
Sipas tij, në rast se Shqipëria shihet si pengesë për drejtësinë, partnerët ndërkombëtarë mund të ndërmarrin masa të forta, që nga ngrirja e procesit të integrimit deri te kufizimi i fondeve europiane.
Debati për çështjen Balluku pritet të vazhdojë në Kuvend, ku deputetët do të duhet të vendosin për fatin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të saj.
