Presidenti i Republikës, Bajram Begaj deklaroi dje se, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian kërkon reforma të qëndrueshme në fushat e qeverisjes, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal. Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova dhe presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, në mbyllje të punimeve të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) të mbajtur sot në Tiranë, në kuadër të kryesimit të këtij procesi nga Shqipëria, Begaj tha se, “samiti i SEECP i mbajtur sot në Tiranë inkurajoi përpjekjet për forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit, përmes bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në BE. Në këtë frymë motoja e kryesisë sonë “Të formësojmë të ardhmen tonë evropiane”, udhëhoqi këtë proces reflektimi dhe dialogu”.
“Diskutimet e zhvilluara shërbyen për të thelluar dialogun konstruktiv dhe për të riafirmuar përkushtimin tonë ndaj një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Integrimi gradual i vendeve aspirante në BE është një prioritet kyç jo vetëm për zhvillimin politik dhe ekonomik të rajonit, por edhe për rëndësinë e rajonit të Evropës Juglindore për stabilitetin dhe prosperitetin evropian”, nënvizoi Begaj. Kreu i Shtetit theksoi se, “ky proces kërkon reforma të qëndrueshme në fushat e qeverisjes, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal. Ndërkohë që vendet aspirante përballen me sfida për përmbushjen e standardeve, integrimi mbetet një hap vendimtar drejt një Evrope më të bashkuar dhe më të sigurt.
