Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka deklaruar se përjashtimi i deputetit Agron Shehaj nga seanca plenare ka prapavijë politike dhe lidhet, sipas tij, me përpjekjen për të heshtur zërat kritikë ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në një intervistë televizive, Kapri u shpreh se masa disiplinore prej 20 ditësh synon që Shehaj të mos jetë i pranishëm në parlament dhe të mos flasë për çështjen e Ballukut.
“Zoti Shehaj ka qenë politikani më i zëshëm për këtë çështje. Kërkesa për përjashtimin ishte firmosur nga grupi i ‘zjarrit’ të Ballukut. Na ishte dhënë fjala për dy minuta, por kur Shehaj nisi të flasë për Rrjollin, iu ndërpre fjala dhe u përjashtua nga seanca”, deklaroi Kapri.
Ai pretendoi gjithashtu se paralajmërimi për një përjashtim 30-ditor ishte bërë më herët nga Taulant Balla, duke shtuar se opozita do të kundërshtojë çdo masë ndëshkimore ndaj deputetëve të saj.
Kapri u ndal edhe te shtyrja e seancës plenare për çështjen e Ballukut, duke thënë se kryeministri Edi Rama po zhvillon një betejë politike për ta mbrojtur atë.
Sipas tij, opozita ka mbledhur rreth 100 mijë firma në mbështetje të drejtësisë dhe kundër ndërhyrjeve politike, të cilat do t’i dërgohen edhe në Kongresin Amerikan.
Ai theksoi se çështja e Ballukut është shumë e rëndësishme për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe paralajmëroi se pasojat mund të jenë të mëdha nëse ajo vijon të mbetet deputete.
“Nëse preket drejtësia, cenohet liria e shqiptarëve. Çështja Balluku është thelbësore për integrimin në BE dhe pasojat do të jenë të mëdha nëse ajo vijon të qëndrojë si deputete”, u shpreh Kapri.
