Çmimi i naftës ka nisur të rritet në disa pika të shitjes me pakicë në Tiranë, duke arritur deri në 179 lekë për litër. Rritja vjen si pasojë e shtrenjtimit të naftës në bursat ndërkombëtare pas tensioneve dhe sulmeve në Lindjen e Mesme.
Sipas një vëzhgimi në treg, çmimi i naftës është rritur me rreth 4 lekë për litër në disa pika karburanti në kryeqytet. Në një pikë të kompanisë “Elda” në zonën e Xhamllikut, nafta po tregtohet me 179 lekë për litër, nga 175 lekë që ishte më parë. Ndërkohë, çmimi i benzinës ka mbetur i pandryshuar në 179 lekë për litër.
Rritja e çmimit është reflektuar edhe në një tjetër pikë të së njëjtës kompani në zonën e Bërrylit, ku punonjësit kanë konfirmuar se shtrenjtimi ka nisur që prej ditës së djeshme.
Ndërkohë, në disa pika të tjera të tregtimit të karburanteve çmimet kanë mbetur të pandryshuara. Në pikat e kompanisë “Kastrati”, nafta vijon të shitet me 175 lekë për litër, ndërsa në pikat e “Shell” çmimi është rreth 178 lekë për litër.
Shoqata e Hidrokarbureve ka paralajmëruar se rritja e çmimeve në bursat ndërkombëtare pritet të reflektohet edhe më shumë në tregun vendas, me një shtim që mund të arrijë nga 10 deri në 20 lekë për litër në ditët në vijim.
Në tregjet ndërkombëtare, çmimi i naftës ka arritur në rreth 83 dollarë për fuçi, nga rreth 65 dollarë për fuçi që ishte para përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.
