Zv.presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar lidhur me pagat e mësuesve, duke deklaruar se ata nuk mund të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe se padrejtësitë ndaj tyre duhet të korrigjohen menjëherë.
Në një postim në rrjetet sociale, Xhixho theksoi se prej rreth një viti e gjysmë shumë mësues kanë marrë paga më të ulëta se kolegët e tyre për të njëjtën punë. Sipas saj, qeveria nuk mund të paraqitet si “hero” për zgjidhjen e një problemi që vetë e ka krijuar, pa kërkuar ndjesë dhe pa kompensuar diferencën e munguar në paga.
Ajo njoftoi se ka depozituar në Kuvend një amendament ndaj projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 69/2012 ‘Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë’”, me qëllim korrigjimin e padrejtësive ndaj mësuesve.
Sipas Xhixhos, vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 425, i datës 26 qershor 2024, ka sjellë trajtim të pabarabartë për mijëra mësues në vend, duke ulur pagat e tyre nga 2 mijë deri në 6 mijë lekë të reja në muaj për rreth 20 muaj.
Ajo theksoi se kjo situatë ka shkaktuar dëm financiar të padrejtë dhe ka krijuar pabarazi mes kolegëve, duke prekur edhe mësues me përvojë 20–30-vjeçare në sistemin arsimor.
Xhixho shtoi se projektligji aktual përmban paqartësi dhe rrezikon të krijojë diskriminim të ri, ndërsa kërkoi që të adresohen qartë diferencat e pagave që, sipas saj, mësuesit nuk i kanë marrë për shkak të një vendimi të gabuar të qeverisë. Ajo theksoi se drejtësia për mësuesit nuk është favor, por detyrim.
