Miku i Ramës dhe Maduros kritikon SHBA-në për ndërhyrjen në Venezuelë

Data

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka kritikuar ashpër arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, nga Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se rendi juridik ndërkombëtar dhe Karta e Kombeve të Bashkuara “nuk funksionojnë më”.

Komentet Vuçiç i bëri të dielën në Beograd, pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare, një ditë pas operacionit amerikan që çoi në arrestimin e Maduros dhe bashkëshortes së tij, si dhe pas sulmeve ajrore që goditën disa objektiva në Karakas.

“Në botë sot mbizotëron ligji i forcës, ligji i të fortit. Ky është i vetmi parim i politikës bashkëkohore që ekziston sot”, u shpreh Vuçiç para mediave.

Ai theksoi se Serbia dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara, por sipas tij është detyrim i shtetit serb të reagojë kur ka shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Maduro ndodhet aktualisht në një qendër paraburgimi në Nju Jork dhe pritet të dalë para gjykatës për t’u përballur me akuza që lidhen me trafik droge dhe armësh.

Zyrtarët serbë kanë mbajtur marrëdhënie të ngushta me regjimin e Maduros, pavarësisht se SHBA dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë atë një president pa legjitimitet demokratik. Vuçiç ka pranuar publikisht se ka zhvilluar biseda të drejtpërdrejta me Maduron, duke e cilësuar atë më herët si “mik të madh të Serbisë”.

Një nga arsyet kryesore të afrimit mes Beogradit dhe Karakasit është fakti që Venezuela nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Për këtë arsye, bashkëpunimi mes dy vendeve është parë si strategjik nga autoritetet serbe.

Në vitet e fundit, Serbia dhe Venezuela kanë nënshkruar marrëveshje për heqjen e vizave dhe kanë paralajmëruar hapjen e një ambasade serbe në Karakas. Megjithatë, këto lëvizje kanë nxitur kritika nga Bashkimi Evropian, ku Serbia synon anëtarësimin.

Regjimi i Venezuelës ndodhet aktualisht nën sanksione nga SHBA, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related