Tenderi 5.4 mln euro për bregdetin e Durrësit anulohet, KPP zbulon shkelje në procedurë

Data

Një vendim i Komisionit të Prokurimit Publik ka nxjerrë në pah shkelje në procedurën e një tenderi me vlerë rreth 5.4 milionë euro për rehabilitimin e vijës bregdetare në Durrës, të zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Sipas dokumenteve zyrtare, tenderi kishte si objekt ndërhyrjen për rritjen e ofertës turistike dhe përmirësimin funksional e estetik të bregdetit në Bashkinë Durrës, duke përfshirë edhe mbushjen e vijës bregdetare me rërë.

Komisioni i Prokurimit Publik vendosi anulimin e procedurës pasi konstatoi probleme në kriteret e përzgjedhjes dhe në dokumentacionin e tenderit, të cilat krijonin pabarazi mes operatorëve ekonomikë.

Në këtë procedurë morën pjesë rreth 20 kompani, por vetëm tre prej tyre u kualifikuan për fazën përfundimtare. Vendimi i KPP erdhi pas një ankese të bërë nga një prej kompanive pjesëmarrëse, e cila kundërshtoi kriteret e vendosura në dokumentet e tenderit.

Sipas Komisionit, kriteret e kualifikimit dhe mënyra e vlerësimit të ofertave nuk ishin në përputhje me dokumentacionin e kërkuar dhe krijonin konfuzion për operatorët ekonomikë të interesuar.

Po ashtu, KPP vlerësoi se edhe struktura e preventivit nuk ishte në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për sektorin e ndërtimit.

Për këto arsye, autoriteti kontraktor është urdhëruar të anulojë procedurën dhe të rishpallë tenderin duke marrë në konsideratë rekomandimet e vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related