Një përgjim i datës 20 nëntor 2025, ora 12:23, i paraqitur nga SPAK në Këshillin e Mandateve, sipas opozitës provon tentativa për intimidim dhe korruptim të një dëshmitareje në dosjen ndaj Belinda Ballukut.
Sipas prokurorit Dritan Prenci, në transkriptimin e bisedave të përgjuara rezulton se dëshmitarja shprehet e frikësuar dhe përmend kontakte nga persona që e kanë nxitur të ndryshojë dëshminë e saj.
“Të fortë” dhe zyrtarë
Në deklarimet e tij, Prenci ka theksuar se:
- Në përmbajtjen e përgjimit përmenden persona jozyrtarë, të cilët dëshmitarja i quan “të fortë”;
- Referohen edhe persona zyrtarë, pjesë e kabinetit të ministrit;
- Pretendohet se ka pasur tentativa për ta tunduar me përfitime në këmbim të ndryshimit të dëshmisë;
- Është sugjeruar edhe zëvendësimi i avokatit me një mbrojtës të “pëlqyer” nga personat që e kanë kontaktuar.
“Në përmbajtje të transkriptimit rezultojnë të dhëna për intimidim… përmenden emra zyrtarësh dhe persona jozyrtarë”, është shprehur prokurori para deputetëve.
Hetimet në vijim
Prokuroria ka theksuar se materiali është pjesë e provave të depozituara në Kuvend dhe se hetimet vijojnë, ndërsa për shkak të sekretit hetimor nuk janë bërë publike detaje të tjera.
Pretendimet për ndikim mbi dëshmitarë janë një nga argumentet kryesore që SPAK ka paraqitur në kërkesën për masë sigurie ndaj deputetes.
