Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë njoftuar nisjen e një fushate ofensive kundër Hezbollahut në Liban, e cila sipas zyrtarëve ushtarakë pritet të zgjasë disa ditë.
Shefi i Shtabit të IDF-së, Eyal Zamir, deklaroi se Izraeli po kalon nga një pozicion mbrojtës në ofensivë, duke theksuar nevojën për gatishmëri të lartë për disa ditë intensive luftimesh, me operacione që mund të zhvillohen në valë të njëpasnjëshme.
Një zyrtar i lartë ushtarak izraelit paralajmëroi se Hezbollahu do të “paguajë një çmim të lartë” për sulmet e fundit. Sipas deklaratave zyrtare, objektivat e goditura përfshijnë magazina armësh dhe infrastrukturë ushtarake në disa zona të Libanit.
IDF bëri thirrje për evakuimin e banorëve në mbi 50 fshatra në jug të Libanit, duke argumentuar se prania pranë objekteve ushtarake të Hezbollahut përbën rrezik për civilët.
Përshkallëzimi nisi pas lëshimit të raketave nga territori i Libanit drejt Izraelit, çka çoi në kundërpërgjigje ajrore. Ndërkohë, kryeministri i Libanit, Navaf Salam, paralajmëroi kundër veprimeve që mund të rrezikojnë sigurinë e vendit dhe të thellojnë konfliktin.
