Shtetet e Bashkuara deklaruan më 28 shkurt se ndërmorën sulme ushtarake parandaluese kundër Iranit, pasi arritën në përfundimin se Teherani po përgatitej të përdorte arsenalin e tij të raketave kundër forcave amerikane dhe aleatëve në rajon.
Gjatë një bisede informuese me gazetarë, zyrtarë të lartë të administratës thanë se informacionet e inteligjencës për një sulm të mundshëm iranian, të kombinuara me dështimin e negociatave bërthamore, e lanë presidentin Donald Trump “pa zgjidhje tjetër” përveçse të vepronte.
Sipas tyre, kërcënimi ishte i dyfishtë: ambicia afatgjatë e Iranit për të siguruar armë bërthamore dhe kapacitetet e menjëhershme konvencionale me raketa balistike. Një zyrtar theksoi se arsenali iranian, veçanërisht në jug të vendit, përbënte “rrezik të papranueshëm” për trupat amerikane në rajon.
Administrata amerikane deklaroi se kishte ofruar mbështetje për një program civil bërthamor të Iranit, përfshirë furnizim afatgjatë me karburant bërthamor, por se Teherani e refuzoi ofertën dhe këmbënguli në ruajtjen e kapaciteteve për pasurimin e uraniumit.
Zyrtarët shtuan se Irani kishte zhvilluar centrifuga të avancuara IR-6 dhe kishte grumbulluar uranium të pasuruar në nivele 20% dhe 60%, duke argumentuar se këto kapacitete mund të çonin shpejt drejt prodhimit të materialit për armë.
Ndërsa pranuan se një marrëveshje afatshkurtër mund të ishte e mundur, ata argumentuan se ajo nuk do ta eliminonte kërcënimin afatgjatë që, sipas tyre, paraqesin kapacitetet raketore dhe bërthamore të Iranit.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se deklarata të tjera publike do të pasojnë në ditët në vijim.
