Të paktë janë lojtarët shqiptarë që kanë arritur nivele të tilla të larta si Granit Xhaka. Kanë kaluar 17 vjet prej se një skuadër e promovuar në Premier League ka nisur edicionin më mirë se Suanderlandi sezonin aktual. Skuadra, që për lider të pakontestueshëm në fushë e ka Granit Xhakën, të shtunën e mposhti kampionin e botës, Çelsin. Pas nëntë xhiros, Sunderlandi i ka 17 pikë. Asnjëherë nuk ka ndodhur që një skuadër me kaq pikë pas nëntë xhirosh të largohet nga Premier League në fund të edicionit. Qëndrimi në elitë është synimi i madh i Sunderlandit. Për këtë edhe e transferoi Xhakën nga Bajer Leverkuseni. Por jo të gjithë ishin të bindur që Xhaka është ende i denjë për Premier League. Shumë nuk e kuptuan po ashtu largimin e tij nga nënkampioni i Gjermanisë për transferim te një skuadër e kthyer në Premier League pas një kohe të gjatë. Megjithatë 33-vjeçari po kujdeset javë pas jave për të heshtur kritikët. Këtë e bëri edhe në fitoren 2:1 ndaj Çelsit në “Stamford Bridge” të shtunën. Ai fitoi betejën me mesfushorët e shtrenjtë të Çelsit, Moises Caicedon e transferuar për 115 milionë funte dhe Enzo Fernandezin e transferuar për 110 milionë funte. Xhaka kishte më së shumti ndërhyrje të suksesshme në ndeshje – katër. I fitoi gjashtë prej shtatë dueleve dhe nuk e bëri asnjë faul. Kapiteni i Zvicrës shquhet edhe për kilometrat e shumta që i vrapon gjatë ndeshjeve. Me aftësitë e liderit e mban ekipin të bashkuar dhe dëshmon në çdo ndeshje pse iu dha shiriti i kapitenit menjëherë pas transferimit. “Xhaka e udhëheq rrugën”, ka shkruar rrjeti televiziv “BBC”, në një analizë për ecurinë e suksesshme të Sanderlandit. Sipas mediumit të fuqishëm, asnjë lojtar i transferuar nuk ka pasur më shumë ndikim se Graniti.
Berisha nga e shtuna lider i Leçes, Broja tregon episode nga karriera e tij, Asani lë gjurmë në Iran
