Kryeministri Edi Rama ka njoftuar në podcast-in “Flasim” rritjen me 2.5% të pagës bruto për mësuesit, duke theksuar se për disa kategori do të ketë edhe një shtesë fikse prej 3 mijë lekësh.
Sipas tij, për kategoritë me pagë nga 58 mijë deri në 74 mijë lekë në muaj, përveç rritjes 2.5% aplikohet edhe shtesa prej 3 mijë lekësh, çka e çon rritjen totale nga 4% deri në 5.17%.
Rama bëri të ditur se kjo masë prek 36,390 punonjës të sistemit arsimor, konkretisht:
- 30,000 në arsimin parauniversitar
- 1,500 në arsimin profesional
- 4,890 në arsimin parashkollor dhe në konvikte
Kreu i qeverisë e cilësoi këtë vendim si një mesazh për rritjen e ekonomisë dhe fuqizimin e kapaciteteve rishpërndarëse të shtetit.
“Jemi në një kohë kur nuk pritet më me vite për një rritje simbolike page, por në një kohë kur rritim ekonominë dhe mundësitë”, u shpreh Rama, duke shtuar se mbështetja për mësuesit, edukatorët, psikologët dhe punonjësit socialë do të vijojë sa herë që të krijohen hapësira të reja financiare.
