Policia e Tiranës ka nisur hetimet edhe për një të mitur 16-vjeçar pas protestës së zhvilluar më 28 shkurt nga Partia Demokratike.
Sipas njoftimit zyrtar, të miturit iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive dhe ndaj tij është nisur procedim në gjendje të lirë.
Në të njëjtën kohë, policia bëri me dije se janë arrestuar katër shtetas për veprime të dhunshme gjatë protestës, përfshirë hedhjen e molotovëve dhe lëndëve piroteknike në drejtim të efektivëve dhe të Vilës 31. Si pasojë janë shkaktuar dëmtime materiale në godinë dhe në 32 kosha mbeturinash të vendosur nga Bashkia Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar molotovë dhe sende piroteknike, të cilat janë dërguar për ekspertim kriminalistik.
Po ashtu, policia njofton se vijon këqyrja e pamjeve filmike të protestës për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në veprimtari të paligjshme, ndërsa materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
