Përfaqësues të shoqërisë civile në Qarkun e Korçës kanë reaguar pas bllokimit të aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas, një segment kyç që lidh juglindjen me Tiranën. Sipas tyre, situata e krijuar nga rrëshqitja e dherave ka sjellë pasoja të menjëhershme ekonomike dhe sociale në rajon.
Ata theksojnë se kufizimi i qarkullimit ka rritur kostot e transportit, ka vështirësuar furnizimin me mallra dhe ka ndikuar negativisht në sektorë si turizmi, tregtia dhe transporti. Devijimi i trafikut drejt akseve alternative, sipas tyre, ka shtuar edhe rrezikun për sigurinë rrugore për shkak të infrastrukturës jo optimale dhe fluksit të lartë të mjeteve.
Një tjetër shqetësim lidhet me furnizimin me karburant, pasi raportimet për devijimin e kamionëve të naftës përmes Kosovës, në vend të Maqedonisë së Veriut, mund të sjellin kosto shtesë dhe ndikim në çmimet e tregut vendas.
Shoqëria civile u ka bërë thirrje institucioneve qendrore, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar, që të ndërhyjnë me urgjencë, të përmirësojnë akset alternative dhe të publikojnë një plan të qartë me afate konkrete për rikthimin e qarkullimit normal.
Sipas tyre, Qarku i Korçës është një nyje e rëndësishme ekonomike dhe ndërkufitare, ndaj situata aktuale përbën jo vetëm një problem rajonal, por një çështje me ndikim kombëtar që kërkon zgjidhje të shpejtë dhe transparente.
