Ka nisur në Gjykatën e Posaçme seanca e radhës ndaj kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i cili është paraqitur personalisht në sallë.
Shkreli dyshohet se u ka premtuar investime banorëve të fshatit Stajkë për përmirësimin e linjës së energjisë elektrike, në këmbim të votës për Partia Socialdemokrate të drejtuar nga Tom Doshi.
Në muajin maj, me vendim të GJKKO-së, atij iu sekuestrua telefoni celular dhe iu ushtrua kontroll, në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga SPAK. Në këtë çështje janë sekuestruar edhe celularë të disa eksponentëve të PSD-së, pasi dyshohet për shitblerje vote në qarkun e Shkodrës.
Kryebashkiaku kishte qenë më herët edhe në qendër të kritikave publike nga Kryeministri Edi Rama, i cili para zgjedhjeve iu drejtua me fjalët: “Kristian, mos luaj më dy porta”.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet vendimmarrja e gjykatës në lidhje me akuzat ndaj tij.
