Inspektori i Lartë i Drejtësisë nis hetim disiplinor për Irena Gjoka

Data

Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka nisur hetim disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, lidhur me dyshimet për mosdeklarimin e një dënimi penal në Greqi në vitin 2005.

Vendimi i ILD vjen rreth tre javë pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), në mbledhjen e 30 janarit, nuk mori një vendim përfundimtar mbi çështjen dhe ia kaloi dosjen Inspektorit me ankim. Megjithatë, ILD ka bërë të ditur se hetimin e ka nisur me iniciativë, bazuar në informacionet e publikuara dhe në dy ankime të paraqitura nga përfaqësues të opozitës.

Sipas burimeve, ILD argumenton se ekzistojnë dyshime të arsyeshme për shkelje disiplinore, pasi magjistratja mund të ketë pasur detyrim ligjor për të deklaruar të dhëna që lidhen me pastërtinë e figurës, përfshirë edhe çdo vendim penal. Mosdeklarimi, sipas ILD, mund të përbëjë sjellje që dëmton besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Në kuadër të hetimit, ILD ka kërkuar dokumentacion nga KLGJ, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar dhe SPAK, i cili gjithashtu ka nisur verifikime.

Nga ana e saj, gjyqtarja Gjoka ka deklaruar më herët se nuk ka pasur dijeni për dënimin e pretenduar në Greqi, duke theksuar se procesi është zhvilluar në mungesë të saj dhe se sipas ligjit grek vendimi është arkivuar dhe nuk ka marrë formë të prerë.

ILD ka kritikuar praktikën e ndjekur nga KLGJ, duke argumentuar se mënyra e trajtimit të rastit mund të krijojë konflikt kompetencash dhe papajtueshmëri procedurale nëse çështja rikthehet për vendimmarrje në të njëjtin organ.

Në përfundim të hetimit disiplinor, nëse konstatohen shkelje, ILD mund të kërkojë masa që variojnë nga ulja e pagës deri në shkarkim nga detyra, ndërsa vendimi përfundimtar i takon KLGJ-së.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related