Ujëmbledhësi i Bovillës, i cili garanton furnizimin me ujë të banorëve të kryeqytetit, është mbuluar nga mbetjet plastike. Drejtuesit e ujësjellësit të Tiranës e justifikojnë këtë situatë me shirat e ditëve të fundit.
Lidhur me këtë situatë, i ftuar në një intervistë televizive, mjeku epidemiolog Taulant Muka u shpreh se duhet të kishte pasur një reagim nga institucionet për të informuar publikun për cilësinë e ujit që vjen në çezmat tona.
Ai tha se pamjet janë shqetësuese dhe kjo ndikon në shëndetin e qytetarëve pasi uji është baza elementare që shteti duhet të garantojë. Sipas tij ne na mungojnë laboratorët e duhur për të garantuar analizat e ujit.
“Është shumë shqetësuese të shohësh ato pamje që pikërisht furnizohet 60% e popullatës së Tiranës, 300-400 mijë veta e përdorin këtë uji.
Duhet të kishte përgjegjshmëri dhe hapa konkretë për të siguruar qytetarët e Tiranës se uji që vjen në çezmat tona është me kualitet. Kur shoh këtë pamje ISHP është institucioni kryesor ku përfshihet dhe roli i tij baza, sa analiza bënë ai në vit në lidhje me ujin që vjen në rubinetet e çezmave tona. Ku duhet të ishte reagimi i parë i ISHP nëse po i bënë analizat sikurse e kërkon dhe ligji shqiptar. Unë po shikoja dhe për një raport vjetor mbi sigurinë e kushtet e ujit në Shqipëri dhe nuk po e gjeja, nuk e di nëse ka një raport të tillë.”
Më tej ai shtoi se kjo situatë kërkon analiza të thella për të kuptuar se ku jemi me sëmundshmërinë në Shqipëri.
“Fakti që ne si shoqëri s’kemi besim te institucionet tona na kushton shumë, së pari me shëndetin tonë, të prindërve tanë, fëmijët dhe kjo është shumë e rëndë për shoqërinë sepse uji është baza që shteti duhet të garantojë.
