Në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka dëshmuar Leonard Selimi, i afërm i biznesmenit Çajup Selimi, i vrarë më 1 qershor 2021 në Tepelenë.
Selimi tregoi para trupës gjykuese se në momentin e ngjarjes ndodhej në banesë dhe nuk kishte dëgjuar krisma apo parë autorin. Ai deklaroi se hapi derën pasi një plumb kishte goditur hyrjen e apartamentit dhe më pas gjeti një tjetër plumb pranë kokës së krevatit në dhomë.
“Nuk dëgjova krisma armësh. Gjeta plumbin brenda në shtëpi, te koka e krevatit. Pashë vetëm vrimën në derë. Kur dola, pashë gjak dhe u përpoqa t’i jap ndihmën e parë”, dëshmoi ai, duke shtuar se viktimën e njihte si person të qetë dhe punëtor.
Për këtë ngjarje ka rrëfyer më herët edhe i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, i cili ka deklaruar se ishte paguar 25 mijë euro nga Laert Haxhiu për ekzekutimin. Sipas dëshmisë së tij, motivi lidhej me konflikte të mëparshme, ndërsa ka përshkruar edhe momentin e atentatit.
Procesi gjyqësor vijon në GJKKO, ndërsa hetimet kanë përfshirë disa persona të akuzuar për përfshirje në grup të strukturuar kriminal.
