Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i është drejtuar Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë me kërkesë për nisjen e procedimit disiplinor ndaj një gjyqtareje të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shkak të vonesës në zbardhjen e një vendimi.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, vendimi i arsyetuar është dorëzuar pas 1 viti, 10 muajsh e 20 ditësh nga shpallja, duke tejkaluar ndjeshëm afatet e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, i cili përcakton një afat 30-ditor për arsyetimin, me mundësi zgjatjeje edhe për 30 ditë të tjera në raste të veçanta.
Në shkresën zyrtare thuhet se një vonesë e tillë cenon standardin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm dhe ndikon drejtpërdrejt në të drejtën e palëve për të ushtruar mjetet e ankimit në kohë.
Ministria bën me dije se kjo është kërkesa e pestë e drejtuar ndaj ILD-së nga ministri që prej marrjes së detyrës, katër prej të cilave lidhen me hetime disiplinore.
Sipas institucionit, respektimi i afateve procedurale dhe garantimi i procesit të rregullt ligjor mbeten thelbësore për funksionimin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në sistem.
