Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zhvilluar seanca për vrasjen e biznesmenit Çajup Selimi, ngjarje e ndodhur më 1 qershor 2021 në Tepelenë. Para trupës gjykuese dëshmoi Leonard Selimi, i afërm i viktimës, i cili rrëfeu momentet e para pas atentatit.
Sipas dëshmisë së tij, ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, ndërsa ai ndodhej në banesë. “Hapa derën sepse më ra plumbi në shtëpi. Nuk dëgjova krisma, por pashë vrimën në derë dhe më pas gjak kur dola jashtë,” deklaroi ai. Dëshmitari tha se gjeti një plumb brenda në dhomë, pranë krevatit, të cilin e dorëzoi të nesërmen në polici.
Ai shtoi se u përpoq t’i jepte ndihmën e parë viktimës, por ky nuk kishte reagim. “I dilte gjak nga goja. Doli nusja e tij dhe banorë të tjerë. E mora vesh nga televizioni çfarë kishte ndodhur,” u shpreh Selimi.
Në proces është përfshirë si i penduar i drejtësisë Artan Tafani, i cili ka deklaruar më herët se është paguar 25 mijë euro për kryerjen e vrasjes, duke përmendur si porositës Laert Haxhiun. Sipas rrëfimit të tij, viktima e kishte parë në momentin e atentatit.
Dëshmitari theksoi se Çajup Selimi njihej si person i qetë dhe punëtor, ndërsa shtoi se pas ngjarjes u mësua për disa konflikte të mëparshme, por sipas tij, ato ishin konsideruar të mbyllura.
Procesi gjyqësor vijon me dëgjimin e dëshmive dhe shqyrtimin e provave, ndërsa çështja mbetet një nga dosjet më të ndjeshme të hetuara nga drejtësia e posaçme.
