Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një komunikimi në rrjetet sociale, komentoi protestën e opozitës dhe takimin me një delegacion të Parlamentit Europian që vizitoi Shqipërinë.
Ai tha se gjatë bisedës pati pretendime për qëndrimin e opozitës ndaj integrimit europian, por sipas tij, drejtuesi i delegacionit e konsideroi PD-në dhe kreun e saj si “partnerë të besuar”.
Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi mazhorancën për infiltrime në protesta dhe përdorim të personave civilë për të provokuar situata tensioni. Ai u bëri thirrje protestuesve që të identifikojnë personat e maskuar në tubime.
Ndërkohë, ai theksoi se protesta e opozitës është paqësore, por paralajmëroi se, sipas tij, personat që shkojnë për të provokuar do të përballen me reagim nga protestuesit.
Deklaratat vijnë në një klimë të tensionuar politike, pas përplasjeve të fundit gjatë protestave në kryeqytet.
