Pesë muaj pas vrasjes së dy të rinjve në Manzë të Durrësit, është vetëdorëzuar në polici 31-vjeçari Gëzim Allçi, i dyshuar se ndihmoi një nga autorët e krimit të largohej nga vendngjarja.
Sipas Policisë së Durrësit, ndaj Allçit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprat penale:
- “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”
- “Përkrahja e autorit të krimit”
Ai u paraqit vetë në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe dorëzoi një pistoletë sportive me gogla, duke deklaruar se e kishte pasur me vete ditën e ngjarjes.
Si ndodhi krimi
Ngjarja e rëndë ndodhi më 22 tetor në Manzë, pas një konflikti në një lokal për shkak të një ekspresi kafeje. Debati mes të rinjve degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit, duke lënë të vrarë 23-vjeçarin Aranit Kurti dhe 33-vjeçarin Flori Paluçi.
Pas ngjarjes, 21-vjeçari Daniel Pepa u largua nga vendi i krimit dhe vijon të jetë në arrati. Sipas hetimeve, ai dyshohet se u ndihmua nga Gëzim Allçi për t’u larguar.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme hetimore.
