6 orë përballje në GJKKO, Ilir Meta mohon akuzat dhe kërkon rihetim të lobimit

Data

Ish-presidenti Ilir Meta u përball për rreth 6 orë në Gjykatën e Posaçme me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme, duke i cilësuar ato të pabazuara dhe të motivuara politikisht. Në seancën paraprake, ai dhe avokatët e tij kërkuan pushimin e çështjes për aferën “CEZ-DIA” dhe rikthimin për hetim të dosjes së lobimit në SHBA.

Meta deklaroi se nuk ka fshehur asnjë pasuri dhe se të ardhurat e tij ndër vite janë të justifikuara, duke kundërshtuar ekspertizën financiare të paraqitur nga organi i akuzës. Ai mohoi kategorikisht akuzat për deklarim të rremë apo mosdeklarim, duke theksuar se nuk ekziston asnjë shpenzim i padeklaruar prej tij.

Sa i përket çështjes “CEZ-DIA”, Meta pretendoi se është një dosje e stërgjykuar dhe se emri i tij nuk përmendet në vendimet përfundimtare. Ai vuri në dyshim dëshmitë e disa personave të përfshirë në proces, duke theksuar se deklarimet e tyre kanë ndryshuar me kalimin e kohës.

Në lidhje me lobimin në SHBA, Meta theksoi se nuk ekziston asnjë firmë e tij për pagesa apo autorizime dhe kërkoi sqarim për procedurat e ndjekura me letërporositë ndaj autoriteteve amerikane. Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi ligjshmërinë e një përgjimi të vitit 2009, kur ishte deputet, duke kërkuar që gjykata të verifikojë ekzistencën e një vendimi përkatës.

Meta e cilësoi paraburgimin ndaj tij si mjet presioni politik dhe jo hetimi, ndërsa seanca e radhës paraprake pritet të përfshijë edhe parashtrimet e të pandehurve të tjerë, përpara se gjykata të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim në themel.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related