Gjykata e Apelit e Tiranës lë në fuqi përjashtimin e Behgjet Pacolli nga administrimi i Aeroportit të Vlorës

Data

Gjykata e Apelit e Tiranës ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë që përjashton kompaninë Mabco S.A, në pronësi të biznesmenit kosovar Behgjet Pacolli, nga e drejta e votës dhe administrimit në shoqërinë koncesionare të Aeroportit të Vlorës.

Me këtë vendim, administrimi i shoqërisë Vlora International Airport (VIA) mbetet në dorën e aksionarit tjetër, Valon Ademi, deri në shqyrtimin në themel të konfliktit gjyqësor mes palëve.

Thelbi i konfliktit

Përplasja mes dy aksionarëve lidhet me kontrollin e shoqërisë koncesionare dhe me një kredi prej 100 milionë eurosh të marrë nga Mabco nga fondi Delphos Compartment Bernina në Luksemburg. Sipas pretendimeve të ngritura në gjykatë, kredia parashikonte përfshirjen e Aeroportit të Vlorës si huamarrës shtesë, çka do të ekspozonte të ardhurat e koncesionarit ndaj detyrimeve financiare.

Valon Ademi ka pretenduar se këto veprime janë kryer pa transparencë dhe në kundërshtim me marrëveshjet mes aksionarëve. Për këtë arsye, ai iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, e cila vendosi pezullimin e së drejtës së votës së Mabco-s deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

Apeli tashmë ka konfirmuar këtë masë, duke bllokuar përkohësisht përfshirjen e aeroportit në marrëveshje të reja financiare deri në gjykimin në themel.

Çështja nën hetim

Ndërkohë, SPAK ka njoftuar më herët se ka regjistruar procedim penal lidhur me kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës, aktualisht në fazën e hetimeve paraprake.

Aeroporti i Vlorës po ndërtohet mbi bazën e një kontrate koncesionare me Ministrinë e Infrastrukturës dhe është shoqëruar me debate për aspektet financiare, mjedisore dhe fizibilitetin ekonomik të projektit. Konflikti mes aksionarëve dhe proceset gjyqësore në vijim pritet të ndikojnë në ecurinë e mëtejshme të projektit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related