Kjo e premte, 20 shkurt 2026, pritet të karakterizohet nga mot i paqëndrueshëm në të gjithë vendin. Sipas parashikimeve meteorologjike, vranësirat do të jenë mesatare deri të dendura, ndërsa reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të mëngjesit fillimisht në veri dhe jug, për t’u shtrirë gradualisht në të gjithë territorin.
Në disa zona, kryesisht në ekstremin verior, lindje dhe jug të vendit, reshjet mund të marrin formën e shtrëngatave të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Gjatë pjesës së dytë të ditës, reshjet do të vijojnë me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar.
Në zonat malore mbi 800-900 metra mbi nivelin e detit, veçanërisht në Alpe dhe në verilindje-juglindje, priten reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar.
Era do të fryjë nga juglindja dhe jugperëndimi me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore mund të arrijë deri në 16 m/s. Deti parashikohet me valëzim 2-4 ballë.
Temperaturat do të luhaten me minimale rreth 3°C dhe maksimale deri në 15°C, duke ruajtur tiparet tipike të një dite të lagësht dimri.
