Gjykata sekuestron pasuritë e Saimir Taullaut, rikthehet në vëmendje përplasja me Aldo Baren

Data

Gjykata e Fierit ka vendosur sekuestrimin e pasurive të Saimir Taullaut dhe familjarëve të tij, pas kërkesës së Prokurorisë. Vendimi është marrë nga gjyqtari Vladimir Cjapi.

Taullau ka qenë më herët subjekt hetimi në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, ku u procedua për pasuri të pajustifikuara, të cilat dyshohet se rrjedhin nga aktivitete të paligjshme. Ai njihet në Lushnjë si biznesmen, ndërsa në të kaluarën ka qenë objekt i disa atentateve, përfshirë një sulm me armë zjarri në nëntor 2018 pranë lokalit të tij në rrethrrotullimin e Plugut, si dhe një tjetër atentat në vitin 2017.

Saimir Taullau është vëllai i Baki Taullaut, i vrarë në vitin 2005. Ai është i skeduar nga Policia e Shtetit si person me precedent penal.

Përplasja me grupin e Aldo Bares

Konflikti mes familjes Taullau dhe grupit të njohur si banda e Aldo Bares daton që nga viti 1997. Sipas dëshmive të dhëna ndër vite në gjykatë, përplasja nisi pasi Aldo Bare kërkoi të rekrutonte Saimir Taullaun në grupin e tij, por ky i fundit refuzoi. Pas kësaj, sipas dëshmisë, familja u përball me gjoba të vazhdueshme.

Në vitin 2005 u vra Baki Taullau. Saimir Taullau dëshmoi në gjykatë se autorët ishin pjesëtarë të grupit të Aldo Bares dhe se krimi ishte kryer me urdhër të tij. Sipas familjes, konflikti përfshinte edhe një gjobë prej 500 mijë eurosh, të vendosur vite më parë.

Aktualisht, sekuestrimi i pasurive nga Gjykata e Fierit rikthen në vëmendje këtë histori të gjatë përplasjesh, megjithëse deri tani nuk ka një lidhje të konfirmuar zyrtarisht mes masës së fundit dhe konfliktit të hershëm me grupin e Aldo Bares.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related