Pjesëmarrja e kryeministrit Edi Rama në Bordin e Paqes në SHBA është shoqëruar me polemika, pas një deklarate që ka ngjallur reagime në studio televizive dhe në rrjet. Gazetari Bledian Koka e cilësoi si një gafë të rëndë diplomatike momentin kur Rama përdori termin “sicario” për prokurorin amerikan Jack Smith.
Sipas Kokës, përdorimi i këtij termi – që në spanjisht nënkupton “vrasës me pagesë” – nuk ishte një figurë e thjeshtë retorike, por një etiketim i drejtpërdrejtë ndaj një prokurori të caktuar nga autoritetet amerikane, i cili ka drejtuar hetimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe më pas është emëruar si prokuror i posaçëm në SHBA.
Gazetari theksoi se një deklaratë e tillë në një forum ndërkombëtar, përballë Presidentit të SHBA-së dhe liderëve të tjerë, përbën një precedent problematik dhe dëmton seriozisht imazhin diplomatik të Shqipërisë.
“Kur i thua presidentit amerikan që një prokuror i caktuar nga sistemi i tyre është ‘sicario’, pra vrasës me pagesë, kjo nuk është më retorikë politike për konsum të brendshëm. Është një akuzë e rëndë në një forum ndërkombëtar”, u shpreh Koka.
Ai shtoi se pjesa e fjalimit ku Rama përfshiu çështjen e drejtësisë dhe referencat ndaj hetimeve ndërkombëtare nuk kishte lidhje direkte me misionin e Bordit të Paqes, por u përdor për mesazh politik të brendshëm.
Sipas analizës së tij, kjo qasje tregon një mënyrë problematike të konceptimit të raportit me drejtësinë, duke e parë atë si një mekanizëm që mund të sulmohet apo relativizohet në funksion të interesave politike.
Koka nënvizoi se pjesëmarrja e Shqipërisë në iniciativa ndërkombëtare është pozitive, por paralajmëroi se personalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në dhe përdorimi i forumeve diplomatike për betejë politike të brendshme mund të prodhojë pasoja afatgjata për kredibilitetin e vendit.
