Rusia kërkoi dje sqarime nga Beogradi pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, që sugjeronin mundësinë e shitjes së municionit për Bashkimin Evropian, duke ngritur shqetësime në Moskë për mundësinë që këto armë të përfundonin në Ukrainë. Në një intervistë për revistën gjermane Cicero, Vuçiç kishte thënë se Serbia ishte e gatshme të shiste municion për partnerët evropianë, pavarësisht mundësisë që armët të përdoren në luftën në Ukrainë. Rusia reagoi përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, që kërkoi një sqarim të qartë nga Beogradi, pasi Serbia kishte premtuar se municioni i saj nuk do të shkonin në duar të Ukrainës.
Nga ana e saj, Ministria e Jashtme e Serbisë, përmes zëdhënëses Nevena Jovanović, e hodhi poshtë këtë akuzë dhe theksoi se Serbia nuk furnizon me armë asnjë palë në konflikte. Ajo po ashtu theksoi se vendi i saj respekton rregullat ndërkombëtare dhe mbetet i pavarur në politikat e tij. Serbia ka refuzuar vazhdimisht të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe ka theksuar se politikat e saj i udhëhoqen nga interesat kombëtare. Vuçiç po ashtu ka shprehur gatishmërinë e Serbisë për të bashkëpunuar me BE-në në çështje ushtarake, duke theksuar se përkrahja e Serbisë për sigurinë evropiane është e domosdoshme. Kritikave ruse iu bashkuan edhe raportet e inteligjencës ruse, që sugjeronin se Serbia mund të kishte kontribuar në furnizimin e Ukrainës me armë përmes shteteve të BE-së.
