Meta përfundon mbrojtjen, çështja kalon për gjykim në GJKKO

Data

Ish-Presidenti Ilir Meta ka përmbyllur parashtrimet mbrojtëse në seancën paraprake që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku ai është i pandehur së bashku me Monika Kryemadhin dhe tre persona të tjerë.

Pas përfundimit të seancës, avokati i Metës bëri me dije qëndrimet e mbrojtjes, duke kundërshtuar në thelb akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Sipas tij, pretendimet e organit të akuzës nuk qëndrojnë dhe do të kërkohet pavlefshmëria e disa provave.

Në nisje të fjalës së tij në sallën e gjyqit, Meta deklaroi se i përket “2 Marsit të Kushtetutës”, duke iu referuar protestës së 2 marsit 2020, të organizuar gjatë kohës kur ushtronte detyrën e Presidentit. Ai e cilësoi procesin ndaj tij si një “pamflet politik”, duke pretenduar se akuzat janë të pabazuara juridikisht dhe të mbështetura në, sipas tij, gënjeshtra dhe falsifikime.

Meta u ndal edhe te masa e sigurisë, duke deklaruar se paraburgimi i tij është përdorur si mjet persekutimi politik dhe jo si nevojë hetimore, pavarësisht se kërkesat e tij për ndryshim mase janë rrëzuar nga të tre shkallët e gjyqësorit.

Ai kundërshtoi gjithashtu vlefshmërinë e letërporosive të ardhura nga SHBA për çështjen e lobimit të LSI-së, si dhe akuzat që lidhen me aferën CEZ-DIA dhe hetimin pasuror.

Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Ndërsa Monika Kryemadhi përballet me akuza për korrupsion pasiv në dy raste, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Me përfundimin e fazës paraprake, pritet që Gjykata të vendosë për kalimin ose jo të çështjes për gjykim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related