Miliarderi amerikan Bill Gates ka anuluar në moment të fundit fjalimin që ishte planifikuar të mbante në një samit për inteligjencën artificiale në Indi, vetëm disa orë para paraqitjes së tij.
Fondacioni Gates njoftoi se vendimi u mor “pas shqyrtimit të kujdesshëm”, me qëllim që fokusi të mbetej te prioritetet kryesore të samitit, pa dhënë detaje të mëtejshme. Tërheqja vjen në një kohë kur janë rikthyer në vëmendje kritikat për marrëdhënien e mëparshme të Gates me financierin Jeffrey Epstein.
Gates më herët e ka cilësuar lidhjen me Epstein si një “gabim të madh”, duke shprehur pendesë për takimet dhe darkat e zhvilluara me të. Sipas raportimeve, drejtues të fondacionit kanë pranuar se kjo çështje ka ndikuar negativisht në reputacionin e organizatës.
Samiti për Inteligjencën Artificiale në Nju Delhi zhvillohet në kuadër të ambicies së Indisë për t’u shndërruar në një fuqi globale në teknologji dhe AI. Në vend të Gates, në aktivitet do të flasë drejtuesi i fondacionit për Indinë dhe Afrikën.
Ndërkohë, Microsoft ka paralajmëruar investime të mëdha në sektorin e inteligjencës artificiale, me synimin për të përshpejtuar adoptimin e teknologjisë në vendet e jugut global.
