Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian (AFET), David McAllister, gjatë vizitës së tij në Tiranë, është pyetur nga gazetarët për kërkesën e SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.
Në konferencën për mediat, McAllister u shpreh se rasti ka qenë pjesë e diskutimeve gjatë takimeve që delegacioni europian ka zhvilluar në Shqipëri, por theksoi se nuk mund të komentojë një çështje konkrete që është në proces ligjor.
“Nuk jam në pozicion të komentoj një çështje individuale. Kam dijeni mbi rastin, por nuk do të përfshihem në çështjet ligjore të tij,” deklaroi ai.
Megjithatë, ai nënvizoi se përtej dimensionit juridik, ekziston edhe një aspekt i qartë i përgjegjësisë politike. Sipas tij, çështje të tilla duhet të trajtohen në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës dhe të zgjidhen brenda kuadrit institucional.
Mesazhi i tij u interpretua si një thirrje e drejtpërdrejtë ndaj qeverisë shqiptare për të respektuar pavarësinë e drejtësisë dhe për të mos ndërhyrë në proceset hetimore, në një moment kur çështja e Ballukut ka sjellë tensione të forta politike.
Vizita e McAllister vjen në një kohë të ndjeshme për reformën në drejtësi dhe negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian, ku sundimi i ligjit mbetet një nga kushtet themelore për avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit.
