Kreu i Komitetit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian (AFET), David McAllister, gjatë vizitës së tij në Tiranë, shprehu shqetësimin e Bashkimit Europian për nivelin e polarizimit politik në Shqipëri, duke bërë thirrje për më shumë dialog mes palëve.
Në një konferencë për media, McAllister theksoi se integrimi europian i Shqipërisë mbetet i mbështetur fuqimisht nga BE, por paralajmëroi se procesi bazohet në meritë dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm në zbatimin e reformave.
Ai vlerësoi hapjen e kapitujve negociues brenda një periudhe të shkurtër si një arritje të rëndësishme, por nënvizoi se nuk ka vend për vetëkënaqësi dhe se vendi duhet të vijojë me reformat, veçanërisht në forcimin e institucioneve dhe funksionimin demokratik.
Duke iu referuar situatës së brendshme politike, McAllister theksoi se mazhoranca duhet të krijojë hapësira për opozitën, ndërsa opozita duhet të angazhohet në dialog konstruktiv. Ai u ndal edhe te protestat e fundit, duke deklaruar se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një shtet demokratik.
Sipas tij, stabiliteti politik dhe kultura e dialogut janë elementë kyç për përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
