Berisha sulmon ndryshimet në Kod: Rama po ndërton “mburojë personale” ndaj drejtësisë

Data

Partia Demokratike mblodhi sot grupin parlamentar, ku në fokus të diskutimeve ishte iniciativa e mazhorancës për ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, që lidhet me pezullimin nga detyra të zyrtarëve të lartë.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi nismën si një përpjekje të kryeministrit Edi Rama për të krijuar barriera ligjore në funksion të mbrojtjes personale. Sipas tij, ndërhyrja në ligj përbën sfidë të hapur ndaj Kushtetutës dhe institucioneve të drejtësisë.

Berisha deklaroi se mazhoranca po synon të kufizojë mundësinë e pezullimit të anëtarëve të qeverisë nga detyra, duke e interpretuar këtë si një mekanizëm për të shmangur përgjegjësinë penale. Ai shtoi se Kushtetuta e parashikon qartë rastin e pezullimit për gjyqtarët kushtetues, ndërsa për funksionarët e zgjedhur nga sovrani, sipas tij, nuk mund të vendosen barriera shtesë përmes ligjeve të zakonshme.

Sipas opozitës, ndryshimet e propozuara rrezikojnë të cenojnë parimin e ndarjes së pushteteve dhe të dobësojnë reformën në drejtësi. Nga ana tjetër, mazhoranca ka argumentuar se ndërhyrja synon të sqarojë kuadrin ligjor dhe të shmangë, sipas saj, interpretimet e tejzgjatura të kompetencave nga organet e drejtësisë.

Debati pritet të intensifikohet në ditët në vijim, ndërsa projektligji do të shqyrtohet në komisionet parlamentare përkatëse.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related