Protestuesit paralajmërojnë Edi Ramën se do të rrethojnë Parlamentin kur të kërkohet heqja e imuniteti të Belinda…

Data

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka thelluar në mënyrë drastike hetimet dhe ka shtuar akuzat ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e vënë atë zyrtarisht nën shënjestër për “Pastrim parash”, “Korrupsion pasiv” dhe “Fshehje të pasurisë”. Përballë këtyre provave të reja të dosjes penale nr. 136, mësohet se tre prokurorët e çështjes i janë drejtuar Kuvendit me kërkesë për t’i hequr imunitetin dhe për t’i hapur rrugë arrestimit të saj. Ky zhvillim ka ndezur menjëherë gjakrat në terren, ku protestuesit që prej 13 ditësh qëndrojnë në shesh kundër keqqeverisjes dhe korrupsionit, kanë lëshuar një paralajmërim të prerë. Duke kujtuar precedentin e fundit ku kryeministri Edi Rama përdori veton politike të Partisë Socialiste për të bllokuar arrestimin e ish-zv/kryeministres Ballukut, qytetarët këtë herë nuk do të presin duarkryq. Ata kanë deklaruar se në momentin që kërkesa e dytë e SPAK do të shqyrtohet në Parlament, një rrethim masiv do t’i bëhet godinës për të ndaluar çdo tentativë mbrojtjeje politike ndaj ish-zyrtares së lartë.

“Që nga momenti që nisi kjo protestë Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë dy aksione: i pari është kur nisi hetimi për pronësinë për çështjen e Zvërnecit dhe i dyti ishte aksioni i sotëm kur vendosi të godasë grupin narko-ndërtimin. Fati i Shqipërisë është kryqëzim: janë ata që duan modelin e Dubait, modelin e kullave, parave të pista dhe ne që duam modelin e europian, modelin e shtetit të së drejtës. Që ta fitojmë këtë betejë kemi nevojë për drejtësi të vendosur dhe të pavarur. Ne e përgëzojmë SPAK për punën që ka bërë deri tani dhe shpresojmë që ta thellojë hetimin. Përflitet se SPAK do të ndërmarrë edhe një hetim këto ditë për arrestimin e Ballukut në Parlament. Ne do të vazhdojmë të jemi në shesh çdo ditë dhe kur të bëhet ajo kërkesë do të shkojmë të rrethojmë Parlamentin”, deklaroi dje aktivistja Arlida Lleshi që deri muajin e kaluar ishte pjesë e partisë “Shqipëria Bëhet”, gjatë fjalës së saj në protestën e mbajtur para Kryeministrisë, ndërsa përgëzoi punën e SPAK. Pra kjo tregon se tensioni mbetet maksimal, teksa pritet të shihet nëse mazhoranca do të guxojë sërish t’i dalë para drejtësisë apo do të dorëzohet para presionit popullor dhe ndërkombëtar.

Por çfarë rruge ndjek Kuvendi?

Ndërkohë theksojmë se çështjen e heqjes së imunitetit për një deputet apo anëtar qeverie dhe dhënien e lejes për arrestim e zgjidh neni 118 i Rregullores së Kuvendit. Kryetari i Kuvendit tashmë ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, një institucion me 10 anëtarë (5 mazhoranca dhe 5 opozita). Deputeti vihet në dijeni dhe ka të drejtë të mbrohet para Këshillit. Ky këshill nuk voton, por brenda 2 javëve, nga momenti i përfundimit të shqyrtimit të kërkesës së SPAK, ka kohë të përgatisë një raport në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi për Belinda Ballukun, siç kërkon SPAK, dhe më tej i përcillet Kuvendit për votim të hapur në seancë plenare. Shqyrtimi bëhet në seancën pasardhëse plenare të Kuvendit si pikë e parë e rendit të ditës. Kuvendi me shumicë votash voton ose jo heqjen e autorizimit. Afati maksimal sipas rregullores për një vendimmarrje është 3 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës. Nëse Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

Anëtarët e Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren

PS

Niko Peleshi
Taulant Balla
Ulsi Manja
Bledi Çuçi
Bledi Çomo
Antoneta Dhima anëtar zëvendësues
Arkend Balla anëtar zv/anëtarë
PD

Gazment Bardhi
Oerd Bylybashi
Elda Hoti
Gent Strazimiri
Saimir Korreshi
Ivi Kaso zv/anëtarë
Gerta Bardeli  zv/anëtarë
Çfarë ka ndodhur?

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka shtuar dhe akuzat për ish-zv/kryeministren e vendit, Belinda Balluku, e cila tashmë është marrë nën hetim dhe akuzohet për “Pastrim parash”, “Korrupsion pasiv i funksionarit të lartë publik” dhe “Fshehje apo mosdeklarim të përdorimit të kësaj pasurie”. Njëherësh, në kuadër të këtij hetimi, tre prokurorët e çështjes, Klodian Braho, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, i kanë dërguar kërkesë të dytë Parlamentit, me qëllim kërkimin e autorizimit për lejimin e arrestimit të ish-ministres së Transporteve dhe Energjisë, Belinda Balluku. Kërkesa motivohet mbi bazën e provave të administruara në dosjen penale nr. 136 dhe pa dyshim mbi akuzat e reja që kanë dalë nga ky hetim penal. Herën e parë, Belinda Balluku shpëtoi nga arrestimi, pasi kryeministri i vendit, Edi Rama, vendosi veton politike të Partisë Socialiste kundër SPAK. Tashmë, kur të protokollohet kërkesa e dytë në Kuvend për dhënien e autorizimit me qëllim lejimin e arrestimit, nuk dihet se çfarë argumenti do të nxjerrë kryeministri për t’i thënë “Jo” drejtësisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related