Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi 20 shkurtin si “ditën e kryengritjes më të madhe paqësore në histori”, duke bërë thirrje për mobilizim qytetar kundër qeverisë.
Gjatë një konference për shtyp, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po vepron për të qëndruar në pushtet dhe për të mbrojtur veten nga, sipas tij, “krime monstruoze”. Berisha deklaroi se qeveria dhe ministrat funksionojnë si një “organizatë kriminale e strukturuar”, duke përmendur si shembuj:
- Tenderat e Unazës së Madhe
- Projektin e Tunelit të Llogarasë
- Shitblerjet e energjisë
Ai pretendoi se këto raste përbëjnë prova të një skeme të organizuar abuzimesh, ndërsa theksoi se protesta e 20 shkurtit do të jetë paqësore dhe do të ndiqet, sipas tij, edhe nga vendet demokratike të Europës dhe botës.
“Qytetarë dhe qytetare, sot më shumë se kurrë jeni të thirrur të merrni në dorë fatin tuaj,” u shpreh Berisha, duke e paraqitur protestën si një moment vendimtar politik.
