Në Tiranë mbahet sot Ministeriali i Korridorit VIII, me fokus avancimin e bashkëpunimit strategjik në ndërlidhje, qëndrueshmëri dhe integrim rajonal.
Sesioni ministror nis në orën 10:00 në Pallatin e Brigadave dhe drejtohet nga ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme. Në takim marrin pjesë delegacione të nivelit të lartë nga Italia, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Bullgaria.
Diskutimet përqendrohen në rolin e Korridorit VIII si bosht strategjik për ndërlidhjen evropiane, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe në forcimin e qëndrueshmërisë, mobilitetit ushtarak dhe ndërveprueshmërisë mes Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Ministeriali është strukturuar në katër panele:
- Vizioni politik dhe prioritetet evropiane për zhvillimin ekonomik.
- Korridori VIII si katalizator i ndërlidhjes së qëndrueshme dhe rritjes së gjelbër.
- Dimensioni gjeopolitik i projektit.
- Financimi dhe mekanizmat mbështetës për realizimin e tij.
Takimi pritet të theksojë rëndësinë e këtij korridori për integrimin rajonal dhe përforcimin e lidhjeve infrastrukturore midis Adriatikut dhe Detit të Zi.
